AlbanianSport.com 15.04.2016 13:45
ASNN – Ponari: Sa më shumë ekipe në Ligën Ballkanike, aq më mirë për sportin dhe biznesin. Ashtu sikurse është paralajmëruar rreth dy ditë më parë, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka marrë një mirënjohje nga Liga Ballkanike. Edhe sepse “SIGAL Uniqa Group Albania” është sponsor i Ligës Ballkanike të Basketbollit për meshkuj, që tashmë ka marrë emërtimin “SIGAL Uniqa Liga Ballkanike”.
Mirënjohja për Ponarin është dorëzuar nga drejtori sportiv i Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj, Shei Shtriks, përpara finales së parë SIGAL Prishtina-Mornar 82-68. Dhe Ponari ka dhënë këtë vlerësim për çmimin për faqen në internet të Ligës Ballkanike në Basketboll për meshkuj: “Në përgjithësi loja e dy skuadrave finaliste ka qenë shumë e mirë dhe më ka pëlqyer. Jam shumë i kënaqur me këtë sezon. Më pëlqen kjo ligë, sepse është duke lëvizur në rrugën e duhur.”
“Është duke ndihmuar basketbollin e Ballkanit dhe është një nga kampionatet më të rëndësishme të rajonit tonë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. -Shpresoj që vitin e ardhshëm Shqipëria të jetë përsëri e përfaqësuar në këtë veprimtari. Kemi shumë objektiva për zhvillimin e basketbollit në Shqipëri, por më e rëndësishme është pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare. Këtë vit skuadrat tona kombëtare do të jenë pjesëmarrëse në veprimtaritë ndërkombëtare në një numër total prej 7 ekipesh.”
“E kjo si për meshkuj, ashtu dhe për femra, të moshave të ndryshme, të cilat do të marrin pjesë në turnetë përkatës, – ka theksuar presidenti i FSHB-së. – Kjo është ajo që po bëjmë këtë vit. Do të shohim se çfarë do të bëjmë në vazhdim. Më pëlqen të ketë sa më shumë skuadra në Ligën Ballkanike sezonin e ardhshëm, sepse kjo do të jetë më e mirë si për sportin, ashtu dhe për biznesin për të qenë sa më afër basketbollit.” Në projekt është menduar pjesëmarrja e dy ekipeve shqiptare në Ligën Ballkanike për sezonin e ri, sikurse është menduar dhe krijimi i ligës ballkanike për të rinj.
Por gjithçka i mbetet sezonit të ardhshëm, ndërsa Ponari është i kënaqur me sezonin e parë të “SIGAL Uniqa Liga Ballkanike.”.