Gjergj Vyshka 15.04.2016 10:25
Egzon Shala, mundësi i lirë i peshës deri 97 kg, luan shanset e tij të fundit për t’u kualifikuar me normë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Këtë fundjavë, sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres”, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, ai do të jetë në turin kualifikues për zonën e Evropës, që do të zhvillohet në Zrenjanin të Serbisë.
Më saktë kjo veprimtari do të zhvillohet nga data 15, deri më 17 prill 2016. Dhe i fundit do të jetë pas një jave në Ulan-Bator të Mongolisë, nga data 22, deri më 24 prill 2016. “Ne shpresojmë që ta arrijë në Zrenjanin, sepse janë vetëm konkurrentë nga Evropa”, – ka thënë Spahiu.
“Kurse në Mongoli edhe duke qenë nga e gjithë bota do të jetë më e vështirë. Megjithatë shpresojmë. Në të kundërt do të përqendrohemi më pas tek mundësit e ri, të cilët janë e ardhmja e këtij sporti”, – ka përfunduar nr. 2 i organizmit që qeveris mundjen shqiptare, kurse Egzon Shala ka mundësitë e fundit për t’i dhënë Shqipërisë një normë kualifikimi për në Olimpiadë.
Deri më tani Shqipëria është e përfaqësuar në Rio me Elis Gurin dhe Sahid Prizrenin, por njëri është pjesë e Bullgarisë dhe tjetri i Australisë. Që do të thotë se nëse Shala nuk realizon asgjë në Zrenjanin dhe Ulan-Bator, atëherë mundja do t’i shtohet radhës së sporteve shqiptare të dështuara në tentativat e tyre për të pasur një sportist me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.