AlbanianSport.com 13.04.2016 16:15
ASNN – Pjesëmarrja e Shqipërisë në Evropianin e Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në Norvegji, do të vazhdojë sot në ditën e 3-të të tij me Erkand Qerimaj. Shtangisti shkodran do të konkurrojë në kategorinë e peshës trupore deri në 77 kg dhe shpresat për një medalje janë mjaft të mëdha.
Vetë shtangisti e ka konfirmuar një gjë të tillë në një komunikim të shkurtër për AlbanianSport.com, pak orë para kësaj gare. “Ndjehem në formë optimale për këtë garë dhe jam besimplotë se do të jem në podium”, – ka thënë ai shkurtimisht nëpërmjet linjës telefonike.
Pas zhgënjimit të Briken Caljes të mërkurën në mbrëmje, ku shtërmenasit iu desh të kënaqej me një medalje bronzi, ndonëse mundësitë ishin shumë më të mëdha, sonte sytë e shqiptarëve do të jenë drejtuar tek Erkand Qerimaj, i cili vjen në fakt si kampion Evrope i para dy vjetëve, ndërsa vjet nuk garoi.
Dhe, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe kjo garë e Qerimajt do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH2, dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit televiziv publik.