AlbanianSport.com 12.04.2016 15:20
ASNN – Ragip Xhaka i ndarë mes dy djemve: “Dëshiroj që Graniti dhe Taulanti të ndahen në barazim”. Një nga ndeshjet më të veçanta të Euro 2016 do të jetë ajo mes Zvicrës dhe Shqipërisë, që do të vendosë përballë dy vëllezërit Xhaka. Babai i dy futbollistëve, Ragip Xhaka, shpreson që sfida mes djemve të tij të mbyllet në barazim. Natyrisht, për një prind është e pamundur të zgjedhë mes fëmijëve.
Por në një pozicion shumë më të vështirë është Ragip Xhaka, që më 11 qershor do të shohë dy djemtë e tij Granitin dhe Taulantin përballë njëri-tjetrit në ndeshjen Zvicër-Shqipëri në finalet e “Euro 2016”.Sigurisht, një sfidë të tillë do të donte ta evitonte, por tani që është fakt i kryer, në një intervistë për televizionin “Tribuna Channel” në Kosovë, babai i dy futbollistëve bën të ditur se shpreson që djemtë e tij të ndahen në barazim.
Por për të qetësuar përfundimisht ndasitë emocionale të Ragip Xhakës, idealja për të do të ishte që Taulanti me Shqipërinë dhe Graniti me Zvicrën të kalonin të dy grupin. Ragip Xhaka ka konfirmuar gjithashtu edhe zërat e merkatos që shohin Granitin si një nga protagonistët në tregun e transferimeve të verës së ardhshme. Sipas tij, futbollisti që luan me Borusian e Mënshengladbahut kërkohet nga disa prej skuadrave më të mëdha të Evropës.
Sipas mediave ndërkombëtare, në garë për të marrë shërbimet e Granit Xhakës, përveç Bajernit të Mynihut janë edhe skuadrat angleze të Liverpulit dhe Arsenalit.