Gjergj Vyshka 11.04.2016 12:35
Jurgen Uku, mundësi i Tiranës në peshën 60 kg në stilin klasik, ka qenë më i miri i Shqipërisë në turneun ndërkombëtar “Adriatika”, që është zhvilluar këtë fundjavë në Poreç të Kroacisë. Me pjesëmarrjen e 7 ekipeve përfaqësuese, atje ku përveç tanëve kanë qenë edhe Serbia, Kroacia, Italia, Hungaria, Sllovakia, Zvicra, kuqezinjtë janë munduar të bëjnë një paraqitje të mirë.
Uku ka zhvillua 3 ndeshje në peshën e tij, atje ku ka fituar fillimisht me serbin Adem Katona 2-1 (1-1, 1-0). Më pas është mundur nga italiani Jakopo Sandrion 0-8, si dhe nga hungarezi Erik Torba 2-11 (0-1, 2-10). Për rrjedhojë mes pesë konkurrentëve ka zënë vendin e tretë. Ndërsa Boris Frrokaj në peshën 74 kg ka zënë vendin e 5-të mes po aq pjesëmarrësve, duke regjistruar tre humbje.
2-7 me serbin Zarko Diçkov (2-6 dhe 0-1), 0-8 me kroatin Ivan Hurlek dhe 0-4 me sllovakun Jozef Rohali. Në përfundim, mes 5 pjesëmarrësve në peshën 74 kg është i 5-ti. E Shqipëria me vetëm 14 pikë, 8 prej Ukut dhe 6 prej Frrokaj, ka qenë e fundit mes shtatë ekipeve konkurrente. E përfundimisht Jurgen Uku ka marrë medaljen e bronztë në Poreç të Kroacisë.