Gjergj Vyshka 09.04.2016 12:30
Volejbolli shqiptar ka arritur në pikën më kulmore të sezonit, ndërsa sot si për meshkuj, ashtu dhe për femra do të zyrtarizohen katër skuadrat që do të vazhdojnë luftën për titull.
Tek meshkujt janë konfirmuar tashmë si katërshe finale, Vllaznia, Studenti që është kampione në fuqi, Tirana dhe Farka Volej, kurse për femra Barleti Volej, Tirana, Skënderbeu, Partizani ose Teuta.
Parë kështu Federata Shqiptare e Volejbollit ka zyrtarizuar datat e “play-off”-eve finale. Për meshkuj, gjysmëfinalet sipas skemës 1-4 dhe 2-3, kjo mbi bazën e vendosjes në renditje, do të jenë më 12 prill, 15 prill dhe 18 prill 2016, nëse do të jetë e nevojshme.
Kurse finalet më 21, 24, 27, 30 prill 2016 dhe 3 maj 2016, këto dy të fundit nëse do të jetë e nevojshme. Për femra gjysmëfinalet do të luhen më 13 prill, 16 prill dhe 19 prill, po u kërkua ndeshja e tretë.
Finalet janë më 22 prill, 25 prill, 28 prill 2016, 1 dhe 4 maj 2016, nëse do të jetë e nevojshme. Pas vendosjes së renditjes përfundimtare të fazës së dytë, Federata Shqiptare e Volejbollit do të caktojë dhe oraret e ndeshjeve gjysmëfinale.