Gjergj Vyshka 09.04.2016 10:40
Bruno Kola për paratërinj dhe Xhorxhio Seferi për të rinj janë fituesit e tjerë të kësaj gare çiklistike, e cila është zhvilluar dje në kryeqytet. 10 skuadra me 54 çiklistë, Anxhaku më shumë se i kënaqur. Ylber Sefa ka qenë më i miri i Nën-23-vjeçarëve dhe Elitës në Kupën “Fejzi Povata”, që dje është zhvilluar në rrethrrotullimin e TEG me cirkuit deri në Kristal Center e më pas si provë force ka qenë ngjitja në Kërrabë, kalimi tek tuneli i Elbasanit dhe devijimi në rrugën e vjetër Tiranë-Elbasan tek kilometri 29.
Nëse deri në një farë vendi Sefa ka pedaluar së bashku me Besmir Banushin dhe Altin Sufaj, pikërisht në një malore të fortë, quajtur ndryshe “tek qershitë”, çiklisti i Tiranës ka dhënë goditjen përfundimtare. Është shkëputur për të mos u arrirë më nga të tjerët, ndërsa deri në fund dhe në finish ka ardhur i vetëm. Me gati 3 minuta në distancë pas tij kanë qenë Besmir Banushi dhe Altin Sufaj, kurse e gjithë pjesa tjetër, edhe për të mos e zgjatur më shumë garën, cirkuitin e fundit TEG-Kristal Center nuk e kanë bërë.
Ndërkohë tek paratërinjtë vijon të shkëlqejë çiklisti i Vllaznisë, Bruno Kola, ndërsa Arjan Aliaj i Teutës dhe Astrit Kronaj i Vllaznisë e kanë pasur të vështirë ta ndjekin. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe tek të rinjtë, ndërsa çiklisti i Partizanit, Xhorxhio Seferi, që ishte dhe fituesi i garës, ka qenë i shkëputur nga kavajasit Arjan Popa dhe Përparim Rroci.
Kupa “Fejzi Povata”
në Çiklizëm – 2016
Rezultatet teknike:
Paratërnij
(6 xhiro cirkuit rrethrrotullimi TEG-Kristal Center 75 km)
1) Bruno Kola (Vllaznia) 1h32’30”
2) Arjan Aliaj (Teuta) 1h32’31”
3) Astrit Kronaj (Vllaznia) 1h32’32”
Të Rinj
(6 xhiro cirkuit rrethrrotullimi TEG-Kristal Center 75 km)
1) Xhorxhio Seferi (Partizani) 1h32’30”
2) Altin Popa (Besa) 1h32’31”
3) Përparim Rroci (Besa) 1h32’32
Nën-23-vjeçarë / Elitë
(2 xhiro cirkuit rrethrrotullimi TEG-Kristal Center-Kërrabë-Tuneli i Elbasanit-Kërrabë-2 xhiro cirkuit TEG-Kristal Center 175 km)
1) Ylber Sefa (Tirana) 2h17’50”
2) Besmir Banushi (Apolonia) 2h20’45”
3) Altin Sufaj (Apolonia) 2h20’46”