AlbanianSport.com 08.04.2016 13:30
ASNN – Bashkia e Burrelit, Kompania “Genuine Effect” dhe Federata Shqiptare e Pingpongut të angazhuar maksimalisht për një veprimtari cilësore. Bashkë me to dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit. Prezantohet projekti. Për Elda Gjokën është i katërti vit që ajo dhe stafi, që e mbështet, organizojnë një kampionat të tillë pingpongu. “Unë dhe kolegët e mi duam të japim mesazhe për trevën e Matit, – ka thënë ajo. – Të gjithë pa përjashtim kemi detyrimet tona për vendlindjen. Gjej rastin të falënderoj Bashkinë e Matit për gatishmërinë e treguar për organizimin e BITT-it të radhës.”
“Kjo traditë e mirë, e nisur në bashkëpunim me të gjithë faktorët lokalë, kemi besim se do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, – ka vijuar ish-pingpongistja. – Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, ka merita për vijimin e këtij turneu të rëndësishëm”. Ajo bëri me dije se BITT 2016 “Tribut për Matin” do të organizohet në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” Burrel në datat 27-28-29 maj 2016. Dje është ngritur sipari i këtij kampionati dhe nuk ka ende të dhëna sa shtete, ekipe apo individë do të jenë të pranishëm në fund të muajit tjetër në qytetin verilindor.
Sipas Elda Gjokës fakti që janë shpërndarë çmime për fituesit e ndeshjeve ka bërë që sportistë të njohur të Ballkanit, në sportin e pingpongut, kanë marrë pjesë dhe kanë konkurruar për tituj në vitet e kaluara. Gjoka shprehet se kushtet e akomodimit do të jenë normale ndërkohë edhe gjendja e mjedisit ku do të luhen ndeshjet është brenda standardeve. “Vite më parë, – kujton ajo, – edhe me kontributin e BITT-it është përmirësuar ndriçimi, dhomat e zhveshjes, tualetet, stolat, etj.”