AlbanianSport.com 07.04.2016 21:20
ASNN – Skuadra franceze e Nantës ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe, në planet e saj për sezonin 2016-2017 duket se nuk bëjnë pjesë dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Lorik Cana dhe Ermir Lenjani. Kapiteni i kombëtares ka edhe në vit të mbetur në kontratën e tij me Nantes, por skuadra kërkon që t’u besojë më shumë të rinjve.
Për këtë arsye, atij i është lënë të kuptohet se do të bënte mirë të gjente një ekip të ri për sezonin e ardhshëm, pasi nuk do të ketë hapësira në formacion. Siç raporton faqja franceze në Internet, “20minutes.fr”, problemi te Cana mbetet edhe paga që është e lartë, ndërsa këtë nuk e justifikon në fushën e lojës.
Mirëpo, ndonjë mrekulli në Evropian mund të bëjë që numri 5 të qëndrojë në skuadër ose të paktën në kontinentin e vjetër. Ndërkohë, Ermir Lenjani pritet që të kthehet te skuadra që zotëron kartonin e tij, Rena. Siç dihet, 27-vjeçari është i huazuar te Nantës, ndërsa është aktivizuar në 15 takime duke shënuar vetëm një gol.
27-vjeçari ka edhe një vit kontratë me Renën, por vështirë se do të arrijë të gjejë hapësira, prandaj i duhet të mendojë për të gjetur një skuadër të re për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, pritet që, në të ardhmen e këtyre dy futbollistëve, por edhe kuqezinjve të tjerë, të ndikojë paraqitja në “Francë 2016”.