Nga Gjergj Vyshka 07.04.2016 11:35
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi,dje ka treguar se i është dërguar një shkresë Komisionit Tekniko-Gjykues për gjyqtaren Rudina Omari, e cila deri në sqarimin e situatës nuk do të gjykojë. “Ne nuk kemi asgjë me skuadrën dhe as nuk duam t’ia marrim atë, – ka theksuar ai. – Por ama, kemi shkuar në atë ndeshje si drejtues se mendonim se Agolli duhet të ishte kapitene e ekipit kombëtar të të rejave.”
“Një veprim të tillë nuk e ka për herë të parë, por e ka bërë dhe herë të tjera, sepse e tillë është fryma që ekziston tek Tirana ndaj kundërshtarëve, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Nuk është thjesht çështje derbi me Partizanin. Megjithatë duke mbetur tek Omari, më 3 shkurt ne kemi dërguar një shkresë tek klubi Tirana për të sqaruar pozicionin a është trajnere, apo gjyqtare, sepse përbën konflikt interesi.”
“Normalisht në këtë situatë të krijuar, ndërsa duhet të kishte ndikuar ndryshe, jemi të detyruar të bëjmë edhe këtë kërkesa ndaj Komisionit Tekniko-Gjykues, sepse edhe në raport me kolegët, duke qenë trajnere, nuk qëndron drejt e mirë. Ajo që duhet të bëjmë të qartë ne nuk mund të tolerojmë asnjë rast dhune në volejbollin shqiptar”, – ka përfunduar Pëllumbi.