AlbanianSport.com 06.04.2016 21:15
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur sot ndeshjet e para të gjysmëfinaleve takimi i parë i çiftit tjetër gjysmëfinal, Flamurtari-Kukësi, i cili është luajtur më mbrëmje në Vlorë, është fituar nga verilindorët me rezultatin 2-0. Më herët, Laçi ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në takimin e parë ndaj Skënderbeut.
Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Laçi ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në takimin e parë të gjysmëfinales së parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, duke treguar edhe një herë pretendimet e saj për të mbrojtur trofeun e fituar sezonin e shkuar në veprimtarinë e dytë të futbollit shqiptar.
Takimi i së mërkurës, i luajtur në Stadiumin e Laçit, është vendosur me golin e shënuar në fillimin e pjesës së dytë, me autor Cetkoviçin, i cili është ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtjes korçare. Duhet theksuar se tek korçarët ishte bërë një rotacion, pasi disa titullarë ishin lënë pushim për ndeshjen e fundjavës me Kukësin. Kjo nuk ndodhi me ekipin e trajnerit Klodian Duro, që mundi me rezultatin 2-0 Flamurtarin në Vlorë.
Hasani dhe Shameti realizuan dy gola që në pjesën e parë duke e bërë më të lehtë takimin e kthimit. Ky rezultat është në favor të Kukësit që kërkon trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e tij. Megjithatë, finalistët e Kupës së Shqipërisë do të përcaktohen pas ndeshjeve të kthimit, më 20 prill 2016.