Gjergj Vyshka 06.04.2016 07:55
Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit, që është mbledhur të hënën pasdite me urgjencë, me kërkesë të presidentit të këtij institucioni, Erlind Pëllumbi, është treguar i ashpër ndaj Stela Agollit. Siç dihet kapitenia e Tiranës në volejboll për të reja të dielën në përfundim të ndeshjes me Partizanin është përfshirë në një sherr me lojtaren e të kuqeve, Livia Xhaferri, atje ku siç ka pranuar volejbollistja bardheblu ka pasur shtyrje me duar.
Megjithatë Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit, në vendimin e marrë do të ishte normale të ishin përmendur emri i kryetarit të këtij komisioni dhe anëtarët e tij siç normalisht ndodh me futbollin kur merren vendime të tilla, pasi analizoi ngjarjen e ndodhur më datë 3 prill 2016 në ambientet e sallës sportive “Farie Hoti” në ndeshjen e kampionatit të të rejave Tirana-Partizani ka vendosur si vijon:
“Kapitenia e Tiranës, Stela Agolli, të pezullohet nga të gjitha veprimtaritë sportive kombëtare dhe ndërkombëtare dhe miqësore të organizuara nga FSHV duke filluar nga data 04.04.2016 deri më 31.12.2016. Si dhe të gjobitet me një shumë prej 20.000 lekësh të rinj.”
Një vendim i rëndë për një 17-vjeçare, një lojtare që po i vinte dhe po i shërbente të ardhmes së volejbollit të Tiranës, por dhe të Shqipërisë. Dhe si e tillë, të paktën sipas burimeve të sigurta, dënimi është pritur me ngashërim nga lojtarja, por dhe me idenë e lënies së sportit nga kjo lojtare nga familjarët e saj.