AlbanianSport.com 25.10.2014 12:05
ASNN – Vazhdon reagimi i sportdashësve dhe opinionit publik mbi vendimin e UEFA-s për ndeshjen e 14 tetorit midis Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u ndërpre në minutën e 41-të për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve dhe stafit teknik të Kombëtares kuqezi.
Sikundër kanë bërë të premte në mbërmje, edhe të shtunën në mesdita, me dhjetëra tifozë të të gjitha moshave kanë dalë në një protestë përpara piramidës, për të shprehur zhgënjimin e tyre për vendimin e dhënë nga UEFA. Me flamuj kombëtarë, por edhe me pankarta ku ironizohej vendimi i organizmit që qeveris futbollin evropian, protestuesit kanë hedhur parrulla nacionaliste, si dhe kanë kënduar këngë patriotike.
Të premten në mëngjes, Komiteti i Disiplinës pranë UEFA-s vendosi t’ia japë fitoren “aforfe” Serbisë në shifrat 3-0, por në të njëjtën kohë u zbriti serbëve 3 pikë, si dhe i dënoi me zhvillimin e dy ndeshjeve të ardhshme pa tifozë. Në mënyrë të pashpjegueshme, pavarsisht asaj që ndodhi në Stadiumin e Partizanit të Beogradit, si Serbia, ashtu edhe Shqipëria, u gjobitën me nga 100,000 euro.