AlbanianSport.com 25.10.2014 11:35
ASNN – Vetë rezultatet e Besëlidhjes, por dhe pozicionimi në vendin e parë, kanë shtuar interesin e tifozëve lezhjan, që sot do të jenë të shumtë në Pukë për ndeshjen me Tërbunin. Kultura e tifozërisë lezhjane është e atillë që do të bëhen bashkë me “Shqiponjat e Veriut”, ndërsa tashmë ata janë duke u drejtuar dhe nga djem që kanë luajtur futboll.
Një prej tyre është dhe Aurel Laçi, i cili ka luajtur me ekipet zinxhir të Besëlidhjes. Më pas është aktivizuar në serinë C1 me Peruxhian, ndërsa dëmtimi e ka lënë jashtë fushave të futbollit. Ai ka studiuar për shkencat e trupit të njeriut dhe sportit. “Unë jam përgatitës atletik dhe pres të kontribuoj në një nga Akademitë në Lezhë”, – sqaron ai për gazetat sportive të ditës.
“Por gjithashtu ne po kërkojmë të rinovojmë dhe tifozerinë lezhjane me më shumë kulturë duke aktivizuar djem të rinj. Do të jemi si brenda në Lezhë, ashtu dhe jashtë saj, gjithnjë në mbështetje të Besëlidhjes. Kështu do të bëjmë dhe sot në Pukë”, – ka përfunduar Laçi.