AlbanianSport.com 03.04.2016 19:05
ASNN – Dje, në mjediset e palestrës së peshëngritjes në Shtërmen është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për Paratërinj dhe për Të Rinj. E kjo për djem e vajza. Në këtë garë morën pjesë gjithsejë 14 ekipe, të cilët ngjitën në pedanë 88 shtangistë. E ndër to ishin tre femra dhe 85 djem.
Në këtë eveniment ka qenë i pranishëm Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe Sekretari i Përgjithshëm Agron Haxhihyseni. E përkrah tyre ka qenë edhe kryebashkiaku i Cërrikut, Altin Toska. Ky i fundit i ka uruar të gjithë ekipeve mirëseardhjen.
Gjithçka ka shkuar perfekt, ndërsa të gjithë kanë ngelur të kënaqur me kushtet e garës. Në fund të garës “Masglass” është shpallur “kampion” për të rinj, kurse Shtërmeni “kampion” për paratërinj. Sportistët më të mirë të veprimtarisë ishin Besjana Koni e Tiranës për paratëreja, Ana Jovani e Skënderbeut për të reja.
Ndërsa për paratërinj dhe të rinj, sportisti më i mirë u shpall Kristi Ramadani. Presidenti i “Masglass”-it, Theodhori Masllavica, u shpreh shumë i kënaqur me shpalljen “kampion” të skuadrës së tij. “Falënderoj të gjithë djemtë për maksimumin e tyre, ndërsa do të veçoja Kristi Ramadanin”, – ka thënë ai shkurtimisht.
Ndërkohë trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska, ka theksuar se ekipi i tij ka bërë një garë mjaft të mirë.