Gjergj Vyshka 03.04.2016 12:20
Tirana në volejboll për femra, ashtu sikurse dhe pritej, e ka fituar ndeshjen e saj të radhës me Skënderbeun, pastër 3-0. Por në fakt nuk është se ka shkëlqyer, edhe pse skuadra e drejtuar nga Adrian Gorenxa ka luajtur me shtatëshen e lojtareve më të mira. Ose e thënë ndryshe me titullaret e zakonshme. Ajo që ka rënë në sy është fakti se Tirana dje ka përfituar më së shumti nga pikët e falura nga Skënderbeu, që në fakt kanë qenë 22 të tilla në tre sete. Më saktë, Tirana në 75 pikë në total në tre sete ka shënuar vetë 53 pikë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e Skënderbeut.
Në krahun tjetër, Skënderbeu në tre sete ka shënuar në total 56 pikë prej të cilave 40 pikë vetë, kurse 16 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve. Falja e pikëve nga mikeshat ka ardhur që në setin e parë, atëherë kur Tirana është shkëputur 6-0 nga gabimet e korçareve. Pushimi i trajneres Shahu nuk është se ndryshon gjë në ritmin e korçareve, që duken si të mpira dhe me pak dëshirë për të luajtur. 8-2, 16-6 dhe në fund 25-10. E ky rezultat i setit të parë duket se ka qenë si një “peshkim” për Tiranën. Sepse gjërat në vazhdim nuk do të jenë aq të kollajta sa dhe në setin e parë.
Eleni Bego dhe Shahu bëhen frymëzuese të dëshirës së korçareve për hakmarrje. Dhe Tiranës i duhet të djersijë për të fituar. 8-7 në pushimin e parë teknik të setit të dytë për Tiranën, kthen Skënderbeu në 15-16. 19-17 për Tiranën, 21-21 dhe në fund 25-23. Në setin e tretë deri në 17-19 Skënderbeu është në epërsi. Madje në barazimin 20-20 ka dhe protesta të korçareve ndaj gjyqtarit Zguri, sepse kanë pretenduar që goditja e Begos ka qenë brenda fushës dhe duhet të ishte pikë për Skënderbeun. Por nuk ka ndodhur kështu.
20-20, 21-20 dhe më pas Skënderbeu lëshon e Tirana fiton 25-21 dhe krejt ndeshjen 3-0. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Klonarda Nezaj e Tiranës me 16 pikë e ndjekur nga Eleni Bego e Skënderbeut me 12 pikë dhe Shahu e Skënderbeut me 9 pikë. Në bllok ka dalë fituese Nezaj e Tiranës me dy mure fituese. Në shërbim është fituese Hoxha dhe Tuci e Tiranës me 4 rezultative, pasuar nga Pirra e Tiranës me tre, ashtu sikurse dhe Shahu e Grabocka të Skënderbeut me tre. Përfundimisht Tirana ka vuajtur për të mundur Skënderbeun.
Tirana – Skënderbeu 3-0
(25-10, 25-23, 25-21)
Tirana: Hoxha, Pirra, Nezaj, Tuci, Blloku, Shkurti, Sejfullai (L) / R. Meta, Agolli, Lasku. Trajner: A. Gorenxa
Skënderbeu: Kole, E. Bego, Demiraj, Shahu, Grabocka, A. Bego (L), Beshiri. Trajnere: N. Shahu
Gjyqtarë: E. Zguri, R. Mujo (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 13-të
(2 prill 2016)
Të shtunën:
Vllaznia – Barleti Volej 0-3
Flamurtari – Partizani 0-3
Tirana – Skënderbeu 3-0
Të hënën:
Teuta – Elbasani
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 13 13 0 39-1 39
- Tirana 13 12 1 37-3 36
- Skënderbeu 13 9 4 27-16 25
- Partizani 13 6 7 18-25 18
- Vllaznia 13 5 8 18-26 15
- Teuta 12 4 8 17-25 14
- Elbasani 12 2 10 8-30 6
- Flamurtari 13 0 13 1-39 0