AlbanianSport.com 02.04.2016 23:35
ASNN – Partizani bën një hap fals në Laç teksa barazon 0-0. Të kuqtë e trajnerit Agostineli kanë shpërdoruar kështu mundësinë për t’i qëndruar sa më pranë Skënderbeut kryesues në renditje. Një pikë e marrë në Laç, e dy pikë të tjera të lëna atje, mund t’i kushtojnë titullin Partizanit.
Pasi Skënderbeu ka fituar 2-1 me Vllazninë dhe ngjitet në kuotën e 66 pikëve kundrejt 60 të Partizanit. Ndeshja Laçi-Partizani ka mbartur tension përgjatë gjithë 90 minutave. Të përkrahur edhe nga tifozeritë e tyre, futbollistët kanë zhvilluar një lojë të fortë dhe me mjaft ndërhyrje të rënda.
Rastet nuk kanë qenë të shumta pasi mbrojtjet kanë qenë tepër të rrepta. Partizani ishte më këmbëngulës sidomos në minutat e fundit të takimit. Në minutën e 80-të, Torrasa gjuan mjaft bukur me kokë brenda zonës por topi përfundon jashtë. Një minutë më vonë, Fazlliu nuk përfiton, kur i vetëm brenda zonës nuk gjuan si duhet duke shpërdoruar një mundësi të mirë për Partizanin.
Me rrjeta të paprekura mbyllet kështu sfida Laçi-Partizani e cila u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në sfidën tjetër të luajtur në orën 16:00, Kukësi ka fituar 2-0 ndaj Bylist në fushën e këtij të fundit. Golat për skuadrën veriore u shënuan nga Zhkonoviç, në minutën e 10-të dhe Floresit, në të 40-ën.
Sfida e luajtur në orën 19:00, ajo midis Teutës e Flamurtarit është mbyllur në barazim 1-1. Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit e ul të dielën siparin e javës së 28-të të saj, me takimin midis Tiranës dhe Tërbunit, që nis të luhet në ora 19:00 në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.