AlbanianSport.com 02.04.2016 22:40
ASNN – Nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka konfirmuar se do të mbajë kamp njëjavor për grupmoshat e reja. “FBK-ja prej 4 deri më 10 prill do të organizojë kampin për grupmoshat Nën-12 dhe Nën-14-vjeç, në të dyja gjinitë, – thuhet në konfirmimin e FBK-së. – Kampi do të zhvillohet, prej të hënës deri të premten, në të njëjtën kohë, në disa qytete të Kosovës, kurse të shtunën dhe të dielën, kampi do të zhvendoset në Prishtinë.”
Është bërë e ditur se ky kamp do të përfshijë numër të madh të fëmijëve dhe do të organizohet me mbështetje të programit të FIBA-s, “Youth Development Camp”. Kampi do të zhvillohet në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Gjilan, Gjakovë dhe Shtërpcë për 5 ditë me radhë, ndërsa FBK-ja u ka bërë thirrje fëmijëve të moshës 12 deri në 14 vjeç të paraqiten për t’u regjistruar në këtë kamp, që për qëllim ka masivizimin e basketbollit ndër djem dhe vajza të kësaj grupmoshe.
“Udhëzimet për lajmërim të fëmijëve do t’i publikojmë të dielën, – vijon më tej organizmi që qeveris basketbollin kosovar. – Gjatë këtyre 5 ditëve fëmijët do të stërvitin nga dy herë në ditë me trajnerët që punojnë me këto grupmosha, ndërsa të premten, do të përzgjidhen fëmijët nga të gjitha qytetet e lartpërmendura për të vazhduar më pas me dy ditët e fundit që do të zhvillohen në Prishtinë.” Të shtunën dhe të dielën me fëmijët e përzgjedhur do të punojë koordinatori i FBK-së për brezat e rinj, trajneri amerikan Kris Dajëll.
Me këtë rast, së bashku me FBK-në, Dajëll do të fillojë në ndërtimin e përfaqësueseve të Nën-14-vjeçarëve në të dyja gjinitë. FBK-ja pret që gjatë këtij kampi të përfshijë rreth 300-400 fëmijë, si dhe 16 trajnerë të të dyja gjinive.