AlbanianSport.com 02.04.2016 19:55
ASNN – Janë luajtur sot pasdite dy takimet e para të javës së 28-të të Kategorisë Superiore dhe Partizani ka ngecur në Laç, duke vënë mjaft në dyshim kredencialet e saj për titull. Të kuqtë e drejtuar nga Agostineli nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 0-0 ndaj kurbinasve në fushën e këtyre të fundit. Takimi ka qenë mjaft i luftuar, por në fund nuk është shënuar asnjë gol.
Kryeqytetasit kanë qenë më kërkues dhe disa herë pranë golit, por nuk kanë mundur dot të realizojnë golin që do ju jepte 3 pikë të arta. Në fund u mbyll gjithçka 0-0 dhe Partizani ngjitet në kuotën e 60 pikëve, 3 më pak se Skënderbeu, por që ka një ndeshje më pak. Në rast se korçarët fitojnë në mbrëmje ndaj Vllaznisë do të thellonin në +6 pikë diferencën me ekipin e kuq.
Në takimin tjetër të orës 16:00, Kukësi ka fituar pastër në Ballsh ndaj skuadrës së Bylisit. Pas barazimit në kryeqytet ndaj Tiranës, verilindorët janë rikthyer menjëherë te fitorja duke fituar me rezultatin e pastër 0-2 në vizitën e sotme në Ballsh. Një pjesë e parë që ka folur e gjitha për Kukësin, ku u shënuan edhe dy golat e vetëm të kësaj ndeshjeje.
Me fitoren e sotme, Kukësi blindon vendin e tretë në kampionat me 48 pikëve, ndërsa Bylisi mbetet në vendin e parafundit me 21 pikë, duke qenë seriozisht i rrezikuar të bierë nga Kategoria. Dy takimet e tjera të javës së 28-të, Skënderbeu-Vllaznia dhe Teuta-Flamurtari, po luhen sonte në mbrëmje, dhe kanë nisur në ora 19:00. Sfida Tirana-Tërbuni, që luhet të dielën, duke nisur nga ora 19:00, mbyll këtë javë.