Gjergj Vyshka 02.04.2016 11:40
Dje në Bathore, atje ku po luhej kryendeshja e basketbollit të meshkujve mes Kamza Basket-Vllaznia, ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili sapo ka marrë mandatin e tij të tretë. Ai ka qenë në shoqërinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, por dhe presidentit të Teutës në basketboll për meshkuj, Arqile Gorea, si dhe ish-trajnerit të Teutës në basketboll për meshkuj, Xhelal Kalaja.
Në momentin që pjesa e tifozëve të Vllaznisë kanë qenë të revoltuar me vendimin e Kasëmit për dhënie të topit nga vija fundore, ndërkombëtari Koçi ka komunikuar me një nga drejtuesit e policisë në Bathore. Dhe në moment janë shtuar forcat e policisë. Një është vendosur në krahun e tifozëve të Vllaznisë, dy kanë qenë në parket, kurse një tjetër ka hequr shikuesit në pjesën e pas koshit ku sulmonte Vllaznia.
Përtej kësaj të gjitha palët janë larguar qetësisht, dikush me gëzim dhe të tjerë me shijen e keqe të humbjes. Duhet theksuar se katër gjyqtarë “janë përplasur” në sallën sportive të Bathores për ndeshjen Kamza Basket-Vllaznia. Ervin Koçi ka qenë aty, sepse më parë kishte gjykuar së bashku me Jurgen Muhon ndeshjen e femrave Kamza Basket-Skënderbeu.
Më pas kanë ardhur Erjon Hoxhaj dhe Marli Kasëmi, por dhe Gilbert Hoxha, i cili kishte gjykuar në “Asllan Rusi”, Partizani-Flamurtari për meshkuj. Vetëm pas komunikimit me sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, gjërat janë sqaruar dhe në parket kanë qenë Koçi-Hoxhaj-Kasëmi.