Gjergj Vyshka 01.04.2016 12:55
Shqipëria e karatesë ka qenë pjesëmarrëse fundjavën e kaluar në turneun “Ippon 2016”, e cila u organizua në Prishtinë të Kosovës. Përveç karateistëve nga Shqipëria, në këtë turne, kanë qenë pjesëmarrës Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Greqia.
Kuqezinjtë e karatesë kanë marrë 10 medalje ndër të cilat katër janë medalje ari, 2 argjendi dhe katër bronzi. Gara ka qenë nga mosha 7 vjeç deri tek të rriturit. Suksesin më të madh e ka shënuar ekipi i Tivarit nga Mali i Zi dhe ai nga Gjilani, të cilët kanë fituar 11 medalje, prej të cilave 9 të arta, 2 të argjendta dhe 1 të bronzit.
Pas tyre u renditen karateistët e ekipit Dardania me 12 medalje (6 të arta, 4 të argjendta dhe 2 të bronzit). Fituesi nga Ferizaj kishte 11 medalje të fituara (3 të arta, 5 të argjendta dhe 3 të bronzit). Po kështu AS Prishtina u rendit në vendin e katërt me 10 medalje (3 të arta, 4 të argjendta dhe 2 të bronzit).
Garuesit më të dalluar ishin Olt Ademi i AS Gjilan me 2 medalje të arta, Nuredin Dervishi (Uskana-Kërçovë), Ivana Bujkoviç dhe Vladimir Mijaç po ashtu me nga dy medalje të arta. Në renditjen e përgjithshme, Republika e Kosovës u rendit në vendin e parë me 155 medalje (45 të arta, 43 të argjendta dhe 67 të bronzit).
Pas saj vijuan Mali i Zi, me 17 medalje, dhe Maqedonia, me 22 medalje. Tashmë veprimtaria e radhës për karatenë do të jetë Kampionati Kombëtar i Të Rriturve, i cili do të zhvillohet në Shkodër më 9 prill 2016.