Gjergj Vyshka 01.04.2016 11:15
Basketbolli shqiptar është në kulmin e veprimtarive të veta, tashmë të përqendruar edhe tek moshat më të vogla. Pasi ka përfunduar turneun e Nën-14-vjeçarëve për djem, atje ku Pro-Invaders u shpall fitues, veprimtaria ka vijuar me djemtë të moshës deri në 12 vjeç.
E trofeu i vendosur nga Federata Shqiptare e Basketbollit në këtë grupmoshë i ka takuar Vllaznisë. Por jo vetëm kaq, dje salla Nr. 3 e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe ajo kryesore e këtij impianti ka qenë për vajzat e moshës deri në 14 vjeç. Në përfundim në finale janë përballur Superiori dhe Vlora Basket.
Dhe trofeu ka shkuar për vajzat e trajneres Ledina Koçi, të cilat kanë fituar 22-15. Sot do të jetë radha e skuadrave mikse, djem e vajza bashkë, të moshës deri në 10 vjeç. Sa për informacion, basketbolli shqiptar, të paktën me shtrirjen e veprimtarive gjatë gjithë vitit dhe për të gjitha grupmoshat, llogaritet për numrin e veprimtarive pas futbollit.
Përfundimisht Pro-Invaders tek Nën-14-vjeçarët djem, Vllaznia tek Nën-12-vjeçarët djem dhe Superiori tek Nën-14-vjeçarët, vajza, janë fituese e trofeve të fëmijëve.