AlbanianSport.com 01.04.2016 10:25
ASNN – Si rrallëherë më parë, gjendja virale që ka goditur pjesën më të madhe të një ekipi, është bërë shkak për shtyrjen e një kampionati të tërë. Kështu ka ndodhur me ekipin e Luftëtarit, kërkesa e të cilit për të shtyrë takimin me Turbinën, ka bërë që të shtyhet e gjithë java e 20-të e Grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që supozohej të luhej të shtunën.
Kërkesa e klubit të Luftëtarit për të shtyrë takimin e radhës, atë të javës së 20-të të grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ka çuar në shtyrjen e gjithë ndeshjeve të radhës nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Zëdhënësi i klubit gjirokastrit, Rigels Malila, ka sqaruar gjendjen e krijuar nga virozat e stinës. Sipas tij, kërkesa e Luftëtarit ishte vetëm për ndeshjen e vet.
Shtyrja e javës së 20-të është konfirmuar zyrtarisht nga FSHF-ja, por ka shkaktuar mjaft polemika në mjedisin futbollistik.