AlbanianSport.com 31.03.2016 18:55
ASNN – Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Drejtori i Sporteve, Vladimir Gjonaj, dje ka ndjekur nga fillimi në fund votimin për president, apo dhe për kryesinë e re të FSHB-së. “Është detyrim për ne që të ndjekim të gjitha asambletë, sidomos këto zgjedhore”, – ka thënë ai.
“Procesi për mua ishte normal dhe votimi ishte i rregullt, – ka vijuar zyrtari i MAS-it. – Fitoi ai që e vlerësuan anëtarët për ta ngritur më lart këtë sport. Të gjithë e dinë që në disa federata, ndryshe nga kjo e sotmja, janë shfaqur probleme, por për mua si përfaqësues i Ministrisë janë raste sporadike.”
“Uroj që Ponari bashkë me stafin e tij ta ngrejë edhe më lart sportin e basketbollit, ndërkohë që Ministria vazhdimisht e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë basketbollin, – ka vijuar Gjonaj. – Ministria, e dinë të gjithë, që nuk bën sport, por bën politika sportive.”
“Për këtë sport ne po bëjmë një pallat sporti modern, jo më poshtë se ato në Evropë, dhe do të japim mbështetje të fuqishme. Edhe njëherë suksese të gjithëve”, – ka përfunduar përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Drejtori i Sporteve, Vladimir Gjonaj.