AlbanianSport.com 31.03.2016 14:20
ASNN – Skuadra e Flamurtarit që rrezikon sërish zbritjen e 3 pikëve nga renditja, këtë radhë për shkak të një tjetër lojtari malazez, Rajoviçit. Vlonjatëve iu hoqën 3 pikë pak javë më parë për shkak të detyrimeve ndaj ish-futbollistit kroat, Toni Pezo, dhe tanimë rrezikojnë të ndëshkohen përsëri.
Çështja e detyrimeve të prapambetura apo e mosrespektimit të kontratave po shndërrohet në një gangrenë për futbollin shqiptar, që rrezikon të sjellë dënime të tjera për klubet, fillimisht në trajtën e zbritjes së pikëve nga renditja. Është skuadra e Flamurtarit që rrezikon sërish zbritjen e 3 pikëve nga renditja këtë radhë për shkak të një tjetër lojtari malazez, Rajoviçit.
Vlonjatëve iu hoqën 3 pikë pak javë më parë për shkak të detyrimeve ndaj ish-futbollistit kroat, Toni Pezo, dhe tanimë rrezikojnë të ndëshkohen sërish. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë pohuar për Televizionin Shqiptar se nuk ka një afat të caktuar kohor përsa i përket rastit më të fundit.
Në fakt, kjo çështje është shndërruar në një epidemi në futbollin shqiptar. Përveç Flamurtarit, edhe dy skuadrat e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, Dinamo dhe Kastrioti, janë ndëshkuar gjatë këtij sezoni me zbritjen e 3 pikëve nga renditja aktuale.
Ndërsa në rrezik, sipas burimeve në FSHF, është Bylisi, që ka disa çështje pezull, ashtu sikurse Tirana ka gjetur për momentin një mirëkuptim me FIFA-n, për shlyerjen me këste të detyrimeve që u ka ish-lojtarëve të saj.