AlbanianSport.com 28.03.2016 21:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresa, e ka mundur 2-1 Hungarinë në ndeshjen e radhës të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe. Për skuadrën kuqezi, golat u shënuan nga Manaj dhe Prenga. Pas kësaj fitoreje, Shqipëria ruan vendin e dytë në grup me 12 pikë, 6 më pak se Portugalia e vendit të parë.
Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë ka marrë një fitore të merituar ndaj homologëve të Hungarisë, në një sfidë tepër të bukur dhe luftarake. Kuqezinjtë 21 vjeçarë kanë 3 pikë të çmuara në Stadiumin “Elbasan Arena” duke ruajtur vendin e dytë në grup me 12 pikë. Ka qenë një ndeshje mjaft e mirë e futbollistëve kuqezinj, që u kurorëzua me fitoren e merituar.
Loja e kujdesshme nga ana e të dyja skuadrave në 45 minutat e para bëri që ato të mbyllen me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, loja ka ngjyra të tjera. Futbollistët e të dyja skuadrave luajnë më mirë dhe janë më të motivuar. Hungaria kalon e para në epërsi me anë të Geras. Një gabim në mbrojtje i Hoxhallarit, i cili nuk e largon topin si duhet nga zona, bën që të Shpresat të ndëshkohen në minutën e 53-të, duke pësuar gol.
Por futbollistët e drejtuar nga trajneri Redi Jupi nuk dorëzohen dhe, në të 67-ën minutë, Shqipëria barazon me anë të Rei Manajt. Sulmuesi i Interit nuk fal brenda zonës dhe 1-1. Një minutë më vonë, Laçi humbet një tjetër rast për të kaluar kuqezinjtë e vegjël në epërsi. Por në minutën e 77-të, një kros i bukur i Liridon Latifit nga e majta, brenda në zonë, dhe aty i talentuari Herdi Prenga shënon golin e dytë për Shqipërinë.
Një fitore e merituar për Nën-21-vjeçarët kuqezinj, që ngjiten tashmë në vendin e dytë në grupin eliminator për në Evropianin e Polonisë.