AlbanianSport.com 28.03.2016 18:40
ASNN – Kombëtares shqiptare do t’i mungojnë Elseid Hysaj dhe Mërgim Mavraj për ndeshjen miqësore me Luksemburgun. Të dy futbollistët janë dëmtuar dhe nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Xhovani De Biazi për sfidën e së martës. Tashmë trajnerit të kuqezinjve do t’i duhet t’i zëvendësojë në formacion të dy lojtarët. Kështu, trajneri italian me pasaportë shqiptare nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarët titullarë për ndeshjen miqësore të martës ndaj Luksemburgut.
Mbrojtësi Hysaj pësoi një goditje të fortë në këmbë që në minutat e para të ndeshjes me Austrinë dhe u detyrua të luajë gjatë gjithë kohës i sforcuar. U mendua fillimisht se ishte një dëmtim i lehtë, por tashmë është konfirmuar se Hysaj nuk mund të jetë në dispozicion të De Biazit për ndeshjen e radhës. Ai është nisur drejt Italisë ku do të kryejë kontrollet e duhura mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit dhe për të qenë nën kujdesin e mjekëve italianë. Por, përveç mungesës së Hysajt, De Biazi do të vuajë edhe mungesën e Mërgim Mavrajt.
Qendërmbrojtësi i Këlnit është dëmtuar gjatë seancës stërvitore të zhvilluar në Luksemburg të hënën në mbrëmje. Ai ka pësuar një tërheqje muskulare gjë që ia bën të pamundur aktivizimin. Mavraj do të bëjë rezonancën magnetike për të parë shkallën e dëmtimit si dhe për të përcaktuar kohën e rikuperimit. Duke parë mungesën e Mavrajt dhe të Hysajt, trajnerit De Biazi do t’i duhet të përfshijë në formacion kundër Luksemburgut, Arlind Ajetin dhe Berat Gjimshitin.