Gjergj Vyshka 28.03.2016 16:30
Presidenti i Ligës Ballkanike të Basketbollit, Shei Shtriks, ashtu sikurse konfirmohet edhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit, do të jetë sot për një vizitë njëditore në Tiranë. Nuk duhet harruar që Liga Ballkanike sivjet ka marrë emrin “Sigal Uniqa Balkan Ligë”.
E kjo pas firmosje së marrëveshjes midis Shtriksit dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili është njëkohësisht dhe drejtori i kompanisë së Sigurimeve “SIGAL”, që operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në vende të tjera të Evropës.
Duke qenë se të martën në Malin e Zi dhe të mërkurën në Prishtinë do të luhen dhe gjysmëfinalet e kthimit të Ligës Ballkanike, atëherë Shtriks, i cili nuk është hera e parë që vjen në Tiranë, do të jetë dhe në Shqipëri. Takimet me Ponarin dhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit do të jenë edhe për një bindje më shumë se klubet e basketbollit shqiptar duhet të marrin pjesë në këtë veprimtari.
Sepse, pas Vllaznisë në sezonin 2014-2015 për këtë sezon askush nuk u tregua i gatshëm për të matur forcat me Ballkanin. Megjithatë tashmë Shtriks do të jetë i gatshëm, qoftë dhe kalimthi, të takohet me Ponarin dhe drejtues të tjerë të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Një vizitë e rëndësishme, e cila vjen menjëherë pas asaj të Presidentit të Federatës Evropiane të Basketbollit, Turgai Demirel, që ishte të shtunën në Tiranë e Durrës dhe u prit nga përfaqësues të pushtetit qendror dhe atij vendor në Shqipëri.