Gjergj Vyshka 26.03.2016 17:10
Ardhmëria Basket për pak e prishi me duart e veta ndeshjen me Elbasanin. Që në mesin e pjesës së parë, në epërsi 19-2, trajneri Bilali heq njëkohësisht Brarin, Merkajn dhe Hoxhën dhe ndeshja merr një rrjedhë krejtësisht ndryshe. Ardhmëria Basket është kthyer në krye të renditjes të Kategorisë së Parë, siç njihet ndryshe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Meshkuj, duke u bërë kështu fituese e këtij mini-kampionati edhe pas fazës së tretë.
Por e vërteta është se dje në përballjen e mbrëmjes me Elbasanin, luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, Ardhmëria Basket për pak sa nuk e ka prishur me duart e saj ndeshjen me elbasanasit. Një presing total i skuadrës në të gjithë fushën. Merkaj është një “snajper” i vërtetë me trepikësha, por nuk gabon edhe në gjuajtje për dy pikë. Por të njëjtën gjë bën dhe Hoxha, Fjolla, që ka realizuar një 3-pikësh, apo dhe Shahini.
E në mesin e pjesës së parë shënohet rezultati 19-2 për Ardhmërinë. Në dukje një rezultat që të krijonte përshtypjen se do të bëhej “batërdija”, sepse elbasanasit po tregoheshin të pafuqishëm në kushtet kur topi po i rrëmbehej që në mesin e fushës. Por ndodh ajo që nuk mund të besohet. Bilali vendos të heqë njëkohësisht Brarin, Hoxhën dhe Merkajn dhe fut Latifin, Qehajajn dhe Ferrën. Dhe loja në vend që të merrte për mirë, merr për poshtë.
Elbasani merr zemër dhe me një rezultat të pjesshëm 4-8 ngushton në fund të pjesës së parë 23-10. E dyta ka një ritëm të ulët, pasaktësi në gjuajtje dhe shumë pak pikë të shënuara. Dhe në fund 10-6 për Ardhmërinë dhe në total 33-16. Një kosh në fillimin e pjesës së katërt i Koçiasit shënon rezultatin më të ngushtë 46-40. Aq sa tek Bilali ka nervozizëm, ka thirrje për shkundje ndaj skuadrës, e cila e kishte humbur toruan. Aq sa Elbasani ka fituar pjesën e tretë 13-22 dhe 46-38.
E vetëm pas hyrjes së Merkajt, 3-pikëshave të tij, por dhe të Rakajt e Latifit, Ardhmëria bëhet bindëse në lojë. Sepse ka fituar pjesën e katërt 26-9 dhe krejt ndeshjen 72-47. Për t’u evidentuar dy ndëshkime me gabime teknike për Lekën dhe B. Skëndajn, që ashtu si Koçiasi e ka lënë fushën e lojës më shpejt së të tjerët sepse ka bërë pesë gabime personale, e Elbasani vazhdon të lërë përshtypje jo të mira në Tiranë. Sepse dje duhet të kishte përfituar nga fodullëku dhe arroganca e Ardhmërisë që e kujtoi ndeshjen të fituar në mesin e pjesës së parë.
Ardhmëria Basket – Elbasani 72-47
(23-10, 10-6, 13-22, 26-9)
Ardhmëria Basket: Brari (1), Hoxha (2), Merkaj (20), Fjolla (3), Shahini (12) / Latifi (8), Qehajaj (11), Ferra (4), Rakaj (11), Gjoka. Trajner: A. Bilali
Elbasani: Balliu (2), Leka (9), Koçiasi (3), B. Skëndaj (21), I. Skëndaj (9) / Biçoku, Mata (3), Musta. Trajner: B. Sinani
Gjyqtarë: G. Hoxha (Tiranë), M. Kasëmi (Vlorë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 15-të
(25-26 mars 2016)
Të premten:
Ardhmëria Basket – Elbasani 72-47
Superiori pushim
Të shtunën:
Skënderbeu – Tirana Eagles ora 17:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Ardhmëria Basket 12 10 2 868-607 22
- Superior 12 9 3 871-645 21
- Elbasani 12 8 4 899-786 20
- Skënderbeu 11 1 10 597-779 12
- Tirana Eagles 11 1 10 527-818 12