AlbanianSport.com 26.03.2016 12:35
ASNN – Çështja e përmirësimit të infrastrukturës sportive të lojërave me dorë në përgjithësi dhe basketbollit në veçanti dhe projekti i basketbollit në shkolla, ishin qëllimet kryesore të vizitës në Tiranë të presidentit të Federatës Evropiane të këtij sporti, Turgai Demirel. Me ftesë të presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka mbërritur në Tiranë presidenti i Federatës Evropiane të këtij sporti, Turgai Demirel.
Gjatë itinerarit të vizitës së tij, kreu i basketbollit kontinental është ndalur dhe ka inspektuar gjendjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ku, për momentin, po zhvillohej Turneu Mbarëkombëtar i Mundjes. Zyrtari turk i koshit evropian është njohur nga afër me gjendjen dhe problemet e këtij mjedisi sportiv, që në fakt i ka krijuar probleme basketbollit shqiptar në ndeshjet ndërkombëtare.
Më pas, kreu i Federatës Evropiane të këtij sporti, Turgai Demirel, është pritur në një takim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Në këtë takim, ku Presidenti i FIBA Evropë shoqërohej nga Ponari dhe zyrtarë të tjerë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, është diskutuar çështja e përmirësimit të infrastrukturës sportive të lojërave me dorë në përgjithësi dhe basketbollit në veçanti.
Po kështu, është diskutuar edhe projekti i basketbollit në shkolla. Në vijim kreu i basketbollit kontinental do të ketë edhe takimet të tjera, ndërsa do ndjekë në mbrëmje në Durrës një ndeshje të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, midis Teutës dhe Kamza Basket.