AlbanianSport.com 25.03.2016 18:45
ASNN – Për Holandën ishte më i madhi i të gjitha kohërave, për pjesën tjetër të botës gjeniu që ndryshoi njëherë e përgjithmonë futbollin. Jo më kot, të përditshmet prestigjioze, sportive dhe jo sportive i bënë homazh Johan Krojfit, duke i rezervuar atij faqet e para. Thuajse gjithmonë me uniformën portokalli të kombëtares holandeze dhe numrin 14, një nga më të preferuarit nga lojtarët edhe tani, gazetat në të gjithë planetin i kanë kujtuar tifozëve talentin dhe fantazinë e një prej futbollistëve më të mirë të historisë.
Të përditshmet holandeze qajnë legjendën e tyre, ndërsa të njëjtën gjë bëjnë edhe në Spanjë, e cila ishte shtëpia e e tij e dytë. Edhe pse kombëtarja iberike luajti një miqësore luksi kundër Italisë, faqet e para të të përditshmeve në vend ia dedikuan faqet e para Johan Krojfit, duke theksuar se ishte ai “gjeniu që rizbuloi futbollin” dhe për këtë emri i tij do të jetë përjetësisht krah këtij sporti. Prestigjozja franceze “L’Equipe” nuk ka aspak mëdyshje në titullin e saj kryesor, duke nënvizuar thjesht se ai “ishte vetë futbolli”.
I njëjtë diskutimi edhe në Angli, me mediat britanike që i kanë thurur elozhe Johan Krojfit. Më origjinal titulli i “The Sun”, që shkruan se tani “Parajsa do të ketë një fantazist të ri”. Por Johan Krujf pritet të përjetësohet edhe në një prej dy stadiumeve ku bëri historinë. Ajaksi dhe Barcelona do të vendosin se një prej stadiumeve të tyre “Amsterdam Arena” ose “Camp Nou” të marrë emrin e futbollistit holandez.