Gjergj Vyshka 25.03.2016 11:15
Tirana-Flamurtari është kryendeshja e kësaj jave në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit për Femra, takim i cili do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 12:00, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Deri më tani Flamurtari ka dalë fitues tre herë me Tiranën, teksa e ka mundur më 26 dhjetor 2015 në “Fahrie Hoti”, 71-68. Më pas në finalen e Kupës së Shqipërisë, 69-50 më 13 shkurt në “Asllan Rusi” dhe në kampionat, këtë herë në Vlorë, 77-67.
E tashmë duket se është koha që Tirana e drejtuar nga trajneri Erdal Borova të vërtetojë se jo vetëm është e denjë që të përballet me Flamurtarin, por dhe të fitojë ndaj kësaj skuadre.
Pra e thënë ndryshe të përsërisë atë spektakël që ka bërë përpara dy javësh në “Farie Hoti” ndaj Goga Basket, kur fitoi 82-79, në një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Femrave.