AlbanianSport.com 25.03.2016 07:55
ASNN – Thoma Strakosha ka qenë heroi i kuqezinjve, teksa ka shmangur gola të sigurt, ndërsa tanët edhe pse kanë pasur dëshirën, kanë qenë jo konkret në veprimet e tyre sulmuese. Kombëtarja shqiptare e Shpresave e ka mbyllur në barazim pa gola përballjen me Greqinë, e cila dje pasdite është luajtur në “Elbasan Arena”, teksa ka qenë e vlefshme për kualifikueset e Evropianit U-21 2017. Me këtë rezultat Shqipëri e Nën-21-vjeçarëve u ngjit në kuotën e 9 pikëve, ndërsa vendi i parë mbahet nga Portugalia me 18 pikë.
Minutat e heshtjes – Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të ngjarjeve terroriste të ndodhura në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel. Ndërkohë heshtja u mbajt edhe në nderim të legjendës së futbollit holandez dhe atij botëror, Johan Krojf, i cili u nda nga jeta dje në moshën 68-vjeçare pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë. Ndërkohë himni shqiptar ka nisur me vonesë, kurse ai grek është vërshëllyer nga tifozët kuqezi.
Loja – Grekët ishin më të rrezikshëm në rastet e krijuara, por janë ndalur nga heroi kuqezi në këtë ndeshje, Thomas Strakosha. “Gardiani” i portës sonë ishte lojtari më i mire i ndeshjes pasi me pritjet e tij i dha një pikë ekipit të Jupit, që la shumë për të dëshiruar në repartin e sulmit. Ndeshja filloi në sulm për skuadrën kuqezi që sheh menjëherë drejt portës greke. Në fillim të lojës, Çekiçi ekzekuton një goditje dënimi nga krahu i majtë, por pa rrezikun e duhur.
Dyshja Çekiçi-Rashica është një rrezik konstant për mbrojtjen greke me aksionet e tyre në krahun e majtë, por një goditje e talentit pogradecar në minutën e 11-të, përfundon jashtë. Në minutat në vazhdim ishte Liridon Latifi që shpërthen në një kundërsulm, por ndalet në mënyrë të parregullt nga Janopulis, që ndëshkohet me karton të verdhë. Minutat kalojnë dhe kuqezinjtë e Jupit shtojnë presionin, por Donis në mesin e pjesës së parë e vuri seriozisht në provë Strakoshën, deri në ato momente spektator, me një goditje nga jashtë zone dhe gardiani kuqezi pret mjaft mirë.
Fraksioni i dytë i lojës nis sërish më mirë për Shqipërinë U-21 që ka menjëherë dy raste të mira shënimi, por nuk arrin të konkretizojnë siç duhet. Ndërkohë në minutën e 50-të, një pakujdesi e Prengës që nuk largon topin siç duhet, i bën grekët të shfaqen rrezikshëm para portës kuqezi. Por goditja e Mavrias prek rrjetën e jashtme. Në të 60-ën minutë janë sërish miqtë që rrezikojnë. Në zhvillimet e një goditje këndi, numri 3 Risvanis godet me kokë, por aty Thomas Strakosha devijon mrekullisht topin që më pas përfundon në shtyllën horizontale dhe rikthehet në lojë.
Grekët fillojnë të kenë besim dhe shohin më shumë drejt portë së të besuarve të Jupit. Në minutën e 66-të, mesfushori Donis lëshon një silurë nga jashtë zonë, por gjen sërish të përgatitur mjaft mirë Strakoshën, që është në super formë duke grushtuar sërish. Rendimenti i lojës bie pasi të dyja skuadrat ndjejnë lodhje, ndërkohë që deri në minutën e 70′ grekët realizuan dy zëvendësime. Trajneri Jupi nuk ndryshoi asgjë. Minutat kalojnë dhe më loja përqendrohet sërish në mesfushë, teksa vijnë edhe zëvëndësimet e para.
Në lojë për tanët futen Broja dhe Gavazaj për Laçin dhe Latifin. Keto dy lëvizje i japin energji kuqezinjve që hidhen në sulm, por tregohen individualistë në disa raste duke humbur mundësinë për të gjetur golin e fitore. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte duke bërë që Shpresat tona të marrin një pikë ndaj grekëve në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2017”. Veçse nuk kanë shkëlqyer dhe në një farë mënyre kjo gjë nuk është se i ka pëlqyer trajnerit Redi Jupi. Të hënën po në “Elbasan Arena” ndeshja e radhës me Hungarinë në ora 20:00
Evropiani 2017 – Nën-21-vjeçarët
Eliminatoret
Grupi 4
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Portugalia 6 6 0 0 23-1 18
- Shqipëria 7 2 3 2 8-13 9
- Izraeli 5 2 2 1 8-4 8
- Hungaria 6 2 2 2 10-8 8
- Greqia 5 2 1 2 8-6 7
- Lihteshtejni 7 0 0 7 0-25 0