AlbanianSport.com 24.03.2016 19:55
ASNN – Shpresat e Shqipërisë kanë marrë barazimin e 3-të në këto 7 ndeshje të grupit të 4-t të Eliminatoreve të Evropianit të Nën-21-vjeçarëve, duke u ndalur në një barazim pa gola me bashkëmoshatarët e Greqisë. Ndeshja, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena” u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor, TVSH, si dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik.
Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, që njihet ndryshe si Shpresat, ka marrë një tjetër pikë të vlefshme në kuadër të grupit të 4-t të Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe, duke u ndarë të enjten me rrjeta të paprekura me Greqinë. Në fakt, kjo ndeshje ka nisur me një minutë të përbashkët heshtjeje, si në nderim të viktimave të ngjarjeve terroriste të ndodhura në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, ashtu edhe në nderim të legjendës së futbollit holandez dhe atij botëror, Johan Krojf, i cili u nda nga jeta të enjten, në moshën 68-vjeçare, pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë.
Pjesa e parë ka qenë kryesisht e varfër në raste, me të dyja skuadrat që më tepër kanë studiuar njëra-tjetrën sesa kanë menduar për sulmin. Ndërsa pjesa e dytë ka qenë më e bukur, dhe për Shpresat kanë spikatur futbollisti i Interit në Itali, Rei Manaj, si dhe ai i Viteses në Holandë, Milot Rashica, i cili do t’i bashkohet edhe Kombëtares së të rriturve për miqësoren e 29 marsit me Luksemburgun.
Pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadra, kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena” u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor, TVSH, si dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik, u mbyll pa gola. Shqipëria mban aktualisht vendin e dytë në renditje, me 9 pikë të grumbulluara pas 7 ndeshjesh.