Volejbollistët shkodranë duket se po rikthehen në normalitetine tyre. Pas humbjes në shtëpi me Farka Volej, humbje që vinte menjëherë pas dështimit që patën në finalet e Kupës së Shqipërisë, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja realizuan dy fitore radhazi, njëra në fushë të huaj dhe tjetra në Pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kjo e fundit, e luajtur dje në mesditë, i vuri shkodranët përballë skuadrës korçare, Skënderbeut.
Një ndeshje kjo që nuk pati shumë emocion, pasi vendësit, në harkun kohor të një ore, arritën të mbyllin pa shumë rezistencë tërë ndeshjen me fitimin e tre seteve njëri pas tjetrit. I pari fiksoi në fakt shifrat më të thella 25-13 në favor të Vllaznisë, kurse dy të tjerët janë mbyllur 25-15 dhe 25-18 gjithnjë për kuqeblutë, që kështu kanë fituar pastër 3-0.
Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku i kuqebluve Artan Kalaja bëri të ditur për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, se pasi atij shoku psikologjik, që mori skuadra në finalet e Kupës së Shqipërisë, tashmë gjërat po shkojnë drejt normalizimit. Sipas tij, Vllaznia do të vijojë të jetë si zakonisht një skuadër pretendente për fitimin e trofeut dhe duke shpresuar që djemtë do të vijnë duke e rritur formën e tyre sportive synohet që gjithçka të kompensohet me fitimin e titullit “kampion”.
Vllaznia – Skënderbeu 3-0
(25-13, 25-15, 25-18)
Vllaznia: Rrashketa, Taflaj, N. Qafarena, Çekini, K. Kola, Preka, R. Kola (L) / Jukni, Miloti, Lloshi. Trajner: A. Kalaja
Skënderbeu: Lumani, Caci, Pira, Ndardhari, Shëllira, Musaka / Sejati, Jatagani, Dhimitri, Beqiri. Trajner: A. Prifti
Gjyqtarë: R. Mujo, E. Dusha (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 17-të
(23 mars 2016)
Vllaznia – Skënderbeu 3-0
Farka Volej – Elbasani 3-0
Tirana – Studenti 3-0
Teuta pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Vllaznia 15 11 4 37-20 33
- Tirana 15 10 5 35-17 32
- Studenti 14 11 3 35-17 31
- Farka Volej 14 9 5 31-20 26
- Teuta 14 8 6 30-25 23
- Skënderbeu 15 2 13 9-40 6
- Elbasani 15 0 15 7-45 2