AlbanianSport.com 24.03.2016 10:35
ASNN – Shqipëri-Greqi për moshat deri në 21 vjeç është ndeshja e radhës që do të transmetojë Radio-Televizioni Shqiptar. Kjo sfidë do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:00. Trajneri I kuqezinjve, Redi Jupi ka në dispozicion lojtarë që po shkëlqejnë në klubet evropiane ku luajnë, si: Rashica, Manaj, Çekiçi, Laçi, etj, ndaj të gjithë presin një rezultat pozitiv.
Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë do të luajë sonte me homologët e Greqisë, ndeshjen e radhës eliminatore në grupin e 4-t, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe. Skuadra e trajnerit Redi Jupi ndodhet aktualisht në vendin e dytë në grup me 8 pikë, pas Portugalisë së vendit të parë që ka 15 pikë.
Por kuqezinjtë kanë 6 ndeshje të luajtura së bashku me Lihtenshtejnin, kundrejt 5 dhe 4 të luajtura deri tani nga kundërshtarët e tjerë të grupit. Ndaj për Nën-21-vjeçarët e Shqipërisë, kualifikimi duket një mision i pamundur. Megjithatë në “Elbasan Arena”, trajneri Redi Jupi do të ketë në dispozicion një skuadër yjesh. Rashica, Manaj, Çekiçi, Laçi me shokë janë futbollistë që po shkëlqejnë në klubet evropiane ku luajnë.
Të gjithë lojtarët janë optimistë madje duan të përsërisin suksesin e kombëtares së madhe të 2004-ës, kur Shqipëria fitonte 2-0 ndaj Greqisë kampione të Evropës. Ndeshja Shqipëri-Greqi, për moshat deri në 21 vjeç do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 18:00 dhe do të transmetohet nga kanali i dytë tokësor i Radio-Televizionit Shqiptar, TVSH 2, dhe ai RTSH Sport i platformës dixhitale.