Gjergj Vyshka 22.03.2016 14:25
“Ne jemi ata që e vuajmë më shumë rrënimin e basketbollit dhe të infrastrukturës, – ka thënë Red Vogli, basketbollisti i Tiranës i cili dje ka qenë i pranishëm, përkrah kandidatit për president të FSHB-së, Arben Fagu, në emisionin e Radio-Televizionit Shqiptar “E hëna Sportive”, të drejtuar nga gazetari Eno Skarço. – Jo vetëm kaq, por nga Federata Shqiptare e Basketbollit (aktualja), caktohej që në fillim se kush do të dalë “kampion”.”
“Dhe është Sekretari i Përgjithshëm që e bën një gjë të tillë, që voton në Asamble si pjesë e shoqatës së basketbollit “Valbona”, – vijoi ai. – Por tani është rritur rivaliteti. Jemi duke e mbajtur gjallë ne këtë lojë falë pasionit. Këtu nuk ka as komisar e as vëzhgues që të deklarojë për atë që ndodh. Ne ishim në Vlorë para një jave dhe koshi nga 3.50 metra, ishte në 2.90 metra lartësi.”
“Parketi i rrënuar, ana e tabelave teknike nuk funksiononte, – ka vijuar basketbollisti bardheblu. – Kështu që ne luajmë basketboll duke punuar paradite për t’u mbajtur gjallë dhe bërë stërvitje pasdite. Pra ende jo profesionist.” Dhe, parë kështu, për Fagun duhet ecur me projekte të veçanta për lojtarë të tillë për t’i siguruar profesionalizmin që nga pagesa e deri tek stërvitja.
“Mos harrojmë që trajnerët vijojnë të jenë me honorare”, – ka thënë Fagu në përfundim të bisedës tek “E hëna sportive”…