Gjergj Vyshka 21.03.2016 10:40
Dinamo, Barleti Volej dhe Tirana, ndoshta dhe Divjaka, do të jenë skuadrat që të martën do të marrin pjesë në Kupën “Admir Mulaj”. Kështu ka lajmëruar trajneri i Dinamos në volejboll për femra, Genci Nexhipi, ndërsa ky trofe është për ish-presidentin e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, që ka qenë edhe sponsor i skuadrës blu.
Dhe kjo veprimtari do të zhvillohet në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”, model në kryeqytet, ndërsa mund të ishte një sallë e mirë sportive edhe për të bërë veprimtari më të mëdha. Nuk duhet harruar që ajo palestër është mjedisi i stërvitjes për ekipet e moshave të Akademisë së “Marin Barletit”.
E po kështu dhe për kampionet në fuqi të volejbollit të femrave, Barleti Volej. “Ne mendojmë që të bëjmë 3-4 ndeshje, ndoshta me dy sete të fituara, – thotë Nexhipi për “Sport Ekspres”. – Kemi zgjedhur Barletin Volejin, që ndoshta do të vijë me skuadrën e dytë, por dhe Tiranën e Rudina Omarit, që është kampione në fuqi e volejbollit të të rejava.”
“Ndoshta mund të jetë edhe Divjaka, por ende nuk e kam një fjalë përfundimtare nga trajneri i kësaj skuadre, Josif Rrudho. Sidoqoftë, ne e kishim një detyrim për ta bërë këtë veprimtari dhe do ta bëjmë”, – shton ai. E përtej kampionati dhe Kupës së Shqipërisë, apo dhe Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, rrjeta shqiptare ka nevojë dhe për të tilla veprimtari që duhet të jenë të shtrira gjatë gjithë vitit.
Ndaj duhet përshëndetur kjo iniciativë e Dinamos për të bërë këtë kupë me emrin “Admir Mulaj”.