Gjergj Vyshka 21.03.2016 09:45
Thyhen 31 rekorde kombëtare për kategorinë e moshave deri në 14 vjeç, ndërsa Bianti Danaj, Hubert Çurçia, Grejsi Koxhaku, Alesia Neziri, Sonia Kapedani dhe Vivian Xhemollari janë më të mirët e kampionatit.
Te Stela është kampione e dyfishtë e kampionatit dimëror të moshave, që për dy ditë me radhë është zhvilluar në pishinën 25-metërshe të Resortit me të njëjtin emër, që ndodhet përgjatë Autorrugës Tiranë-Durrës.
Kanë marrë pjesë, sipas informacionit që ka përcjellë për mediet sportive Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, rreth 180 fëmijë të moshës deri në 14 vjeç.
“Te Stela” ka marrë 705 pikë për meshkuj dhe 680 pikë për femra. Është konkurruar në tre kategori A, B dhe C. Dhe në fund për meshkuj tre sportistët më të mirë të kësaj veprimtarie janë Bianti Danaj (895 pikë FINA), Hubert Çurçia (618 pikë FINA), Grejsi Koxhako (470 pikë FINA).
Ndërkohë në kategorinë e femrave më të mirët kanë qenë Alesia Neziri (1010 pikë FINA), Sonia Kapedani (861 pikë FINA) dhe Vivian Xhemollari (601 pikë FINA).