AlbanianSport.com 20.03.2016 20:35
ASNN – Skënderbeu në volejboll për femra pothuajse ka hipotekuar përfundimisht vendin e tretë në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si grupi A1, teksa këtë vend e ka siguruar pas fitores së pastër që arriti dje 3-0 ndaj Partizanit. Vetëm seti i parë i ndeshjes duhet thënë se ka pasur rivalitet dhe u duk se do të ishte një ndeshje e tillë deri në fund.
Por dy setet e tjera për Skënderbeun kanë qenë më shumë se të lehta. Seti i parë ka nisur i barabartë me disa rezultate si, 8-8, 12-12, ndërkohë që pas këtij momenti vendaset fillojnë të kryesojnë me 2-3 pikë avantazh deri në fund. 25-22 është rezultati përfundimtar i setit të parë. Pas këtij momenti miket nga kryeqyteti thuajse dorëzohen dhe lëshojnë totalisht.
Seti i dytë nga fillimi deri në fund kryesohet vazhdimisht nga Skënderbeu që e fiton 25-11. Edhe seti i tretë i ndeshjes ka të njëjtën pamje, ku sërish ka një skuadër në parket dhe ato janë vendaset e Skënderbeut. 25-14 është rezultati përfundimtar i setit të tretë dhe në përfundim korçarët fitojnë pastër 3-0, duke e çuar ndeshjen në jo më shumë se 60 minuta.
Një fitore që absolutisht vendos Skënderbeun në vendin e tretë dhe duhet thënë se ky ka qenë edhe objekti i korçareve për këtë sezon. Për sa i përket mikeve të Partizanit e kanë pasur tepër të vështirë të bënin diçka dje në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës.
Skënderbeu – Partizani 3-0
(25-22, 25-11, 25-14)
Skënderbeu: N. Shahu, Grabocka, E. Bego, Demiraj, Kole, Beshiri, A. Bego (L) / Male, Nasto, Nastas, Zguri, Potomi. Trajner: M. Shahu
Partizani: Kaçani, Meçorapoj, Xhaferraj, Shaba, Shehu, Reka, M. Agolli (L), Shera (L) / Goxhaj, Balla, Fetaj, E. Agolli. Trajner: R. Tarja
Gjyqtarë: E. Zenullari, R. Mujo (Tiranë)