AlbanianSport.com 20.03.2016 19:15
ASNN – Java e 27-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka nisur të shtunën me takimin Tërbuni-Laçi, që u mbyll në barazim 1-1, ka vijuar të dielën me 4 takimet e tjera. Kështu, pasdreke, është luajtur në Ballsh takimi Bylis-Vllaznia, që është fituar nga miqtë me një gol të vetëm të Kalasë, ndërsa 3 takimet e tjera janë luajtur në mbrëmje
Kështu, Tirana dhe Kukësi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, në takimin e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, që u zhvillua të dielën në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, i cili ndezi për herë parë prozhektorët e tij dhe kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kurse Skënderbeu dhe Partizani korrën fitore, përkatësisht 5-1 në shtëpi ndaj Flamurtarit dhe 2-0 në Durrës ndaj Teutës, duke vijuar në distancë duelin e kreut.Pas javës së 27-të, korçarët, “kampionë” në fuqi, mbajnë vendin e parë në Kategorinë Superiore, me 63 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Kukësi mban vendin e 3-të të renditjes, me 45 pikë, dhe Teuta të 4-tin me 44. Tirana mban vendin e 5-të, me 41 pikë.