Gjergj Vyshka 19.03.2016 12:05
Federata Shqiptare e Çiklizmit, nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Alfred Tahiraj, ka lajmëruar të gjitha mediat e shkruara dhe vizive se Trofeu “26 Marsi” do të jetë veprimtaria e parë e dyrrotakëve për këtë vit. Do të jetë një veprimtari, e cila do të ketë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por dhe Bashkëpunimin me Bashkinë e Kavajës dhe klubin shumësportësh Besa.
Gara, e cila do të jetë për kategorinë kadet dhe të rinj, do të ketë itinerarin Kavajë-Nënkalimi i Maminasit-Kavajë, me gjatësi 80 km. Starti zyrtar i garës do të jetë në ora 10:00, ndërsa në këtë aktivitet të parë të çiklizmit shqiptar për vitin 2016 do të marrin pjesë ekipet e Apolonisë, Burrelit, Besës, Elbasani, Teutës, Vllaznisë, Tiranës, Pogradecit, Flamurtarit dhe Partizanit.
Në rregulloren e zhvillimit të kësaj veprimtarie, klubeve pjesëmarrëse u është kërkuar që, deri më 25 mars 2016, të paraqesin në zyrat e Federatës Shqiptare të Çiklizmit listën e sportistëve pjesëmarrës. Ndaj dhe Sekretari Tahiraj dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit ka kërkuar vëmendjen e televizioneve dhe të mediave të shkruara për këtë veprimtari.