Kuqeblutë kanë vijuar edhe dje përgatitjet e tyre për sfidën e fundjavës me Bylisin, të cilën të dielën do ta luajnë në “Adush Muça” të Ballshit. Gjatë gjithë kohës trajneri Armando Cungu, së bashku me dy kolegët e tij, Maxhar dhe Dani, janë përpjekur të bëjnë më të mirën e tyre me konsumimin e një sërë ushtrimesh kryesisht me topin. Ndërkohë që pjesën e fundit të minutazhit stërvitor ka ardhur edhe loja testuese në mes dy formacioneve.
Një lojë që, krahas testimit të emrave të skicuar për të luajtur nga minuta e parë, tekniku Cungu e shfrytëzon edhe për detaje të tjera të ndeshjes, kryesisht të anës taktike. Dhe për këtë, siç ndodhi edhe dje, ai shikohet t’i bjerë disa herë bilbilit duke ndalur lojën në ato momente kur konstaton që skuadra, apo reparte, si dhe individë të veçantë nuk zbatojnë si duhet porositë dhe orientimet e tij në drejtim të rreshtimit në fushën e lojës. E kjo qoftë në veprimet sulmuese, por dhe ato mbrojtëse.
Dhe kjo për hir të së vërtetës duhet pranuar se dje ka ndodhur disa herë, pasi për Cungun detyrat e dhëna prej tij nuk po zbatoheshin me korrektesë. Në këto kushte në një prej rivënieve në lojë të topit nga vija anësore nga formacioni i dytë, pasi konstatoi se futbollistët e së parës nuk iu përgjigjen si duhet mbulimit një për një të kundërshtarit, ai ndaloi lojën dhe, pasi tërhoqi, vëmendjen për pasivitetin e veprimeve të futbollistëve të tij, mori si masë ndëshkuese kalimin e formacionit të parë me vrapime rreth fushës.