Me ardhjen e trajnerit Armando Cungu, në krye të skuadrës, pjesë e stafit teknik u bë edhe malazezi Aleksandër Maxhar, të cilin trajneri shkodran e përzgjodhi në rolin zëvendësit të tij. Dhe, falë përvojës së tij si ish-futbollist i ish-Jugosllavisë e më tej, ai po jep kontributin e tij. E kjo jo vetëm si “krahu i djathtë” i Cungut në procesin stërvitor, por edhe në raportin me pjesën malazeze në skuadër. Një gjë të tillë e pranon edhe mbrojtësi malazez i shkodranëve, Stefan Cicmil, i cili në vijim të prononcimit të tij për “Sport Ekspres”, bën të ditur se me përfshirjen në staf edhe të bashkëkombësit të tyre, Aleksandër Maxhar, gjërat duken më ndryshe për to.
Sidoqoftë, ato pranojnë se edhe gjatë periudhës së mëparshme nuk janë ndjerë keq, sepse respekti ndaj tyre nuk ka munguar në asnjë çast, qoftë nga futbollistët dhe stafi, por dhe nga tifozeria dhe komuniteti në përgjithësi. Veçse tani është diçka krejt ndryshe. Kjo jo vetëm falë gjuhës së nënës me të cilën arrijnë të komunikojnë që të tre dhe që i ndihmon për shumë gjëra dhe element teknikë që kërkohen për jetën sportive në grup, por për hir të së vërtetës ato pranojnë se Maxhar në staf e ndjejnë veten shumë më të ngrohtë, qoftë profesionalisht, por edhe në aspektin njerëzor.
E kjo falë urës së bashkëpunimit që Maxhar ka me Cungun, edhe si epror, por edhe si një koleg dhe mik të mirë. I pyetur se sa i kënaqur është ai me ecurinë e deritanishme, vlerësimin më ta madh Cicmil e shpreh për periudhën e pjesës së dytë të sezonit. “Mbrojtja ku unë bëj pjesë po funksionon mirë gjatë kësaj periudhe të ardhjes së trajnerit Cungu, – pohon malazezi. – Me Vrapin, me eksperiencë në qendër, si dhe po ashtu me Arbrin me përvojë në të djathtë, së bashku me Markun në të majtë, një i ri luftarak dhe i saktë në veprime, kemi përballuar ndeshje të forta duke pasur përballë skuadra pretendente që kanë sulmues me shumë vlerë.”
“Po ashtu edhe të rinjtë e tjerë, si Pjeshka, Hakaj e Gurishta sa herë që i është dhënë mundësia për t’u aktivizuar kanë bërë paraqitje shumë të mira, kështu që besoj se prapavija e skuadrës tonë do të vijojë të jetë e tillë deri në mbyllje të kampionatit”, -përfundon Cicmili.