AlbanianSport.com 24.10.2014 13:45
ASNN – Ndërkohë që mediat kosovare kanë theksuar se “UEFA i dhuron fitoren Serbisë”, mediat serbe e konsiderojnë vendimin e UEFA-s si një humbje për kombëtaren e Serbisë. Mediat kosovare i kushtuan titujt kryesore vendimit të UEFAs që i dhuroi fitoren Serbisë. Media në Internet, Gazeta “Express” shkruan: Serbi-Shqipëri 3-0 dhe 100 mijë euro gjobë për kuqezinjtë. Vendimi i padrejtë i UEFA-s penalizon kombëtaren shqiptare.
Ndërsa tek “Telegrafi” lexohet: Institucioni më i lartë i futbollit evropian vendos t’i dhurojë Serbisë fitoren 3- 0 për ndeshjen e ndërprerë. Një tjetër faqe kosovare në Internet, “Indeksonline” shkruan: Zyrtare, UEFA konfirmon vendimin, duke lënë të kuptohet se është një vendim që ishte marrë kohë më parë, për të favorizuar përfaqësuesen serbe duke vendosur që Shqipëria të humbasë.
Ndërsa komenti në agjencinë “Kosovapress” është: Ndërsa Presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri është një nga zyrtarët e parë kosovarë që ka reaguar duke e cilësuar vendimin e UEFA-s si skandaloz. Ndërkaq, mediat serbe reaguan menjëherë pas publikimit të vendimit të UEFA-s, që dhe pse i ka dhënë në tavolinë fitoren Serbisë, është komentuar si një humbje për ekipin e tyre.
Në titujt kryesorë përmendet gjithnjë fakti që përfaqësuesja serbe në renditje ka më pak se tre pikë aktualisht. “Blic” shkruan “UEFA vendosi: Serbia fiton 3-0, minus tre pikë!”. Ndërsa “B92” e komenton vendimin në këtë mënyrë: “UEFA: Serbia fiton asnjë pikë!”. Më tej shkrimi vazhdon duke sqaruar se Shqipëria është mundur parimisht, por në të njëjtën kohë i ka marrë tre pikë kombëtares serbe.
Edhe agjencia e lajmeve “Tanjug” fokusohet në pikët që aktualisht përfaqësuesja serbe ka në renditjen e saj në grupin I. “UEFA: 3-0 për Serbinë, por edhe 3 pikë më pak”. Ndërkohë sipas vendimit te UEFAS Serbia është dënuar që dy ndeshjet e radhës t’i luajë pa tifozë. Federata shqiptare dhe ajo serbe gjithashtu janë gjobitur me 100 mijë euro gjobë.