AlbanianSport.com 16.03.2016 09:45
ASNN – Një lajm i mirë vjen nga Greqia për futbollistin e Kombëtares, Ergys Kaçe, por edhe për trajnerin e tij. Trajneri i ri i PAOK-ut të Selanikut e ka vlerësuar maksimalisht mesfushorin shqiptar, çka jep shpresë për një aktivizim më të madh të tij në muajt e mbetur të sezonit.
Serbi Vlladan Iviç, i cili zuri vendin e kroatit Igor Tudor, ka deklaruar se 22-vjeçari shqiptar është një nga futbollistët më të mirë të skuadrës. “Të gjithë i dimë vlerat e këtij futbollisti dhe ai është padyshim një nga më të mirët e PAOK-ut.” Kroati Igor Tudor nuk e aktivizonte shumë Kaçen, derisa në një moment të caktuar, e ardhmja e futbollistit shqiptar në radhët e PAOK-ut u bë çështje dhe u mendua se ai do të largohej.
Për Kaçen ka shfaqur interes të vazhdueshëm skuadra e Interit dhe në verë pritet të ketë zhvillime të tjera. Por, e rëndësishme për të dhe për trajnerin De Biazi, është që futbollisti të aktivizohet sa më shpesh dhe sa më rregullisht, në mënyrë që të jetë sa më në formë për Kombëtaren në Evropianin e verës, që do të mbahet në Francë.