AlbanianSport.com 15.03.2016 13:20
ASNN – Endri Çekiçi shndërrohet në protagonist në kampionatin kroat, pasi tifozët e shpallin lojtarin më të mirë të javës. Është kthyer në modë që lojtarët shqiptarë që luajnë në Kroaci të jenë fitojnë një vend në formacionet e javës. Këtë herë protagonist ishte Endri Çekiçi.
Mesfushori bëri një paraqitje të shkëlqyer në derbin e Zagrebit mes Dinamos dhe Lokomotivës. I huazuar te kjo e fundit, Çekiçi shënoi kundër skuadrës që ka pronësinë e kartonit të tij. Ai gjeti rrugën e rrjetës në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa goli i futbollistit shqiptar u cilësua si një nga më të bukurit e javës në kampionatin kroat.
Ndeshja e madhe e Endri Çekiçit u plotësua më pas me një pasim të fundit në momentin e golit të dytë që i dhuroi barazimin e përkohshëm Lokomotivës së Zagrebit. Me këtë paraqitje, lojtari i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë fitoi një vend në skuadrën e javës në Kroaci.
Ndërkohë, ai u shpall dhe lojtari më i mirë i saj në sondazhin e përjavshëm në adresën zyrtare të Ligës Kroate ku votojnë tifozët. Ky sukses personal është shumë i rëndësishëm për Endri Çekiçin, i cili kërkon të kthehet sërish te Dinamo e Zagrebit për të fituar edhe rolin e titullarit sezonin e ardhshëm.