AlbanianSport.com 14.03.2016 21:00
ASNN – Dy pretendentet kryesore për titullin kampion, Partizani dhe Skënderbeu e kanë mbyllur në barazim 1-1 takimin e zhvilluar të hënën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Ky rezultat favorizon Skënderbeun, që ruan pozitat kryesore në renditjen e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, si dhe diferencën prej 4 pikësh me Partizanin e vendit të dytë.
Supersfida e javës së 26-të të kategorisë superiore nuk ka fitues. 1-1 është rezultati i 90 minutave të luajtura në “Qemal Stafa” midis Partizanit dhe Skënderbeut, dy skuadrave pretendente për titullin “kampion” të këtij sezoni. Në një atmosferë të mrekullueshme të siguruar nga koreografitë e tifozerisë së Partizanit, gjyqtari kryesor, Enea Jorgji ka vërshëllyer, për të nisur takimi i shumëpritur.
Skuadrat luajnë me kujdes për të përfituar nga ndonjë gabim. Në minutën e 19-të, Raçiçi humbet një rast për ta kaluar Partizanin në epërsi, kur topin e ardhur në zonë, sulmuesi serb e gjuan lehtë, pa mundur ta dërgojë në rrjetë. Pa kaluar 30 sekonda nga ky rast, një sulm i shpejtë i Partizanit dhe topi përfundon në këmbët e Raçiçit, që këtë radhë gjuan saktë me të majtën.
Topi i shpëton nga duar portierit Shehi dhe përfundon në rrjetë. 1-0 për Partizanin dhe elektrizohet “Qemal Stafa”. Me këtë rezultat mbyllen 45 minutat e para që u karakterizuan nga mbrojtja e rreptë e Partizanit dhe pamundësia e korçarëve për të bërë qoftë edhe një gjuajtje në portën e të kuqve. Salihi dhe Xhejms nuk arrijnë të krijojnë asnjë rast në portën e Hoxhës pasi sulmet e Skënderbeut thyhen pa kaluar as mesin e gjysmëfushës së Partizanit.
Në pjesën e dytë Skënderbeu është më këmbëngulës. Në minutën e 59-të, Alban Hoxha bën një pritje të shkëlqyer pas topit të devijuar nga Tefik Osmani, duke shpëtuar portën e vet nga goli. Më pas, në të 62-ën, është Progni që brenda zonës gjuan rrezikshëm rafsh me tokën, por topi përfundon jashtë, pak centimetra larg nga krahu i djathtë i portës së Hoxhës.
Në minutën e 74-t, vjen një 11-metërsh për Partizanin. Raçiçi gjuan nga pika e bardhë por portieri Shehi e kupton krahun dhe grushton topin. Partizani humbet rastin më të mirë për të dyfishuar shifrat. Minutat e fundit të takimit kanë rezervuar një tjetër gol. Në të 88-ën është Kristi Vangjeli që barazon për Skënderbeun. Një gol i realizuar nga mbrojtësi korçar i cili bën që Skënderbeu të ruajë pozitat kryesuese me një diferencë prej 4 pikësh nga Partizani.