AlbanianSport.com 24.10.2014 11:45
ASNN – Një paraqitje mjaft dinjitoze kanë bërë lojtarët rezervë të Sopotit në ndeshjen e një dite më parë, teksa është luajtur sfida e kthimit me Tiranën, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Edhe pse pa interes si ndeshje, për trajnerin e Sopotit, Gentian Stojku, lojtarët që u hodhën në fushë luajtën me gjithë shpirt, pasi ata e dinin që nga kjo ndeshje mund të fitonin vendin në formacion në ndeshjet e kampionatit. Kishte shumë elementë të mirë që, në këtë ndeshje, treguan se mund të rivalizojnë dhe të zëvendësojnë lojtarë, të cilët tashmë janë titullarë.
Më interesant ishte fakti se ndeshja mbaroi barazim, kur në fushë trajneri Magani kishte hedhur shumë lojtarë të formacionit të parë dhe pësoi gol që në pjesën e parë. Dhe më pas, Tirana nuk arriti të shkonte më tepër se barazimi me rezervat e Sopotit. Tirana ishte pothuajse e kualifikuar, pasi ndeshjen e parë kishte fituar me rezultatin e pastër 3-0. Por ndeshja e zhvilluar një ditë më parë tregoi se tiranasit luajtën shumë fort me disa nga lojtarët më të mirë të formacionin bazë. Trajneri Stojku shprehet se lojtarët zhvilluën një lojë mjaft të mirë në këtë barazim të arritur me bardheblutë.
“Ata ishin mjaft mirë fizikisht dhe personalisht i vëzhgova në imtësi, – ka deklaruar ai. -Shumë shpejt një pjesë e tyre do të jenë edhe në formacion. Ne kemi pasur një ecuri mjaft pozitive në kampionat, aty ku jemi fokusuar me të gjitha forcat. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë shërbyen si trampolinë që disa lojtarë të tregojnë veten se vlejnë të jenë në formacion. Kishte një ndryshim të madh nga ndeshja e parë ku u mposhtëm 3-0. Këtë herë lojtarët treguan seriozitet në fushë dhe ditën të mbrohen dhe të krijojnë mjaft raste.”
Skuadra librazhdase aktualisht mban vendin e parë grupin A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe ka treguar qëndrueshmëri në lojë dhe rezultat. Objektivi është i qartë, ngjitja në Kategorinë Superiore.