Gjergj Vyshka 12.03.2016 23:35
Në kulmin e ndeshjeve finale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, në sallën 3 të pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, atje ku po zhvillohej ndeshja e basketbollit për Nën-16-vjeçarët, Olimpik Basket-Apolonia, ka plasur një sherr masiv mes të dy skuadrave. Në këto kushte, të dy gjyqtarët e kanë ndërprerë ndeshjen në rezultatin 38-51 për Apoloninë, ndërsa kanë ndërhyrë dhe forcat e rendit për qetësimin e situatës.
Gjyqtarët tashmë kanë përgatitur dhe relacionin për Federatën Shqiptare të Basketbollit, kurse trajneri i Olimpik Basket, Maringlen Qose, jep versionin e tij. “Ndaj një lojtari tim është dhënë me të drejtë një gabim teknik, sepse ka kapur bilbilin e gjyqtarit dhe i ka rënë, – pohon ai. – Në këto momente i gjithë stoli i Apolonisë ka hyrë në fushë e ka goditur lojtarin tim.”
“Kemi pamjet filmike, të cilat e tregojnë qartë se është sulmuar basketbollisti im, – pretendon trajneri i Olimpik Basket, Maringlen Qose. – Sigurisht që më pas kanë hyrë dhe të tjerë. Por jemi munduar t’i ndajmë. Veçse duhet të dimë se cili është relacioni i gjyqtarit, sepse basketbollisti im është viktimë, ndërsa nuk ka provokuar askënd nga fierakët.”